Data: 25 Gusht 2025
Drejtuar:
Ministrisë së Brendshme
Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI)
Ministrisë së Drejtësisë
Policisë së Shtetit
Zyra e Përmbarimit Shtetëror
Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA)
Avokatit të Popullit
Lënda: Thirrje urgjente për zbatimin e vendimit gjyqësor dhe mbrojtjen e lirive gazetareske
Të nderuar Ministra,
Të nderuar zyrtarë,
Ne, organizatat nënshkruese për lirinë e medias dhe shoqatat rajonale të gazetarëve, shprehim në këtë letër të hapur shqetësimin tonë të thellë për moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe pengesat e vazhdueshme ndaj aktivitetit gazetaresk në ambientet e Focus Media Group në Tiranë, që përfshin News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura me to.
Jemi të alarmuar që, pavarësisht vendimit të qartë të Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, më 12 gusht 2025, e cila pjesërisht pranoi kërkesën e Focus Media Group dhe Panorama Group për marrjen e masave të përkohshme urgjente me qëllim rivendosjen e aksesit në pajisjet dhe materialet e punës gazetareske, këto urdhra vazhdojnë të mbeten të pazbatuara. Gazetarët vijojnë të përballen me kufizime në hyrjen në ndërtesë për të marrë materialet e tyre të punës, ndërkohë që raportohet se Policia Ushtarake dhe enti shtetëror KAYO po pengojnë aktivisht ekzekutimin e urdhrit të gjykatës.
Gjykata me të drejtë konstatoi se kufizimet e vendosura ndaj punës së gazetarëve gjatë ekzekutimit të dëbimit përfshirë bllokimin e hyrjes në ambientet e punës, ndërprerjen e energjisë elektrike dhe largimin e pajisjeve të redaksisë ishin jo proporcionale. Ajo vendosi gjithashtu se mosmarrëveshje të tilla duhet të zgjidhen në një mënyrë që minimizon ndërhyrjen në lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve, në përputhje me detyrimin e shtetit për të mbrojtur lirinë e shprehjes. Ndërkohë që gjykata nuk dha një vendim mbi çështjen themelore të pronësisë e cila mbetet nën juridiksionin e gjykatave administrative ne përshëndesim fokusin e saj mbi ndikimin e ndërhyrjes në aftësinë e gazetarëve për të punuar, si dhe konstatimin se mënyra se si u trajtua dëbimi ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Megjithatë, shqetësues është fakti që urdhri detyrues i gjykatës për të inventarizuar dhe për të siguruar ose kthyer të gjitha materialet e punës brenda 48 orëve vazhdon të mbetet i pazbatuar. Ky mosrespektim i hapur dhe i vazhdueshëm i një vendimi gjyqësor minon shtetin e së drejtës dhe vendos një precedent të rrezikshëm si për lirinë e medias, ashtu edhe për sundimin e ligjit në Shqipëri.
Prandaj, ne u bëjmë thirrje urgjente autoriteteve shtetërore përkatëse që të:
- Zbatojnë menjëherë dhe plotësisht vendimin e 12 gushtit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke garantuar akses të papenguar për gazetarët në materialet dhe pajisjet e tyre;
- Ndërpresin çdo veprim që cenon lirinë gazetareske, përfshirë kërkesat ndaj gazetarëve për të dorëzuar pajisjet e tyre elektronike me qëllim hyrjen në ndërtesë për të marrë sendet personale, gjë që rrezikon konfidencialitetin e burimeve;
- Sigurojnë llogaridhënie për çdo aktor shtetëror ose palë të tretë që pengon aktivisht zbatimin ligjor të vendimit të gjykatës;
- Respektojnë angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të gazetarëve, si pjesë e kërkesave për anëtarësimin në BE;
- Angazhohen në mënyrë transparente me kompanitë mediatike dhe përfaqësuesit e përfshirë, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të garantuar përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Vërejmë se, megjithëse News24 ka rifilluar transmetimet nga ambiente të përkohshme (një restorant) gjatë kësaj periudhe të ndërmjetme, kjo nuk mund të zëvendësojë rivendosjen e plotë të funksionimit normal gazetaresk me të gjitha pajisjet dhe materialet profesionale të medias.
Pavarësisht mosmarrëveshjes më të gjerë mbi pronësinë, përdorimi i forcës shtetërore për të vazhduar bllokimin e veprimtarisë mediatike pa një mandat gjyqësor ose pa respektimin e procesit të rregullt është i papajtueshëm me angazhimet demokratike të Shqipërisë dhe aspiratat e saj për integrimin në BE, duke dhënë një mesazh shqetësues.
Ne shprehim më tej solidaritetin tonë me Kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, dhe anëtarin e saj, Osman Stafa, si dhe me mbrojtësit e tjerë të lirisë së shtypit dhe organizatat monitoruese, të cilët janë vënë në shënjestër dhe janë kërcënuar për shkak të angazhimit të tyre në mbështetje të redaksive të Focus Media Group dhe Panorama Group.
Organizatat tona, të cilat më parë kanë publikuar një deklaratë të përbashkët mbi këtë çështje, mbeten të gatshme të mbështesin një dialog konstruktiv dhe do të vazhdojnë të mbështesin ushtrimin e lirë të gazetarisë në Shqipëri. Ne ju bëjmë thirrje autoriteteve tuaja përkatëse të ndërmarrin veprime të shpejta dhe të përgjegjshme për zgjidhjen e kësaj situate, në përputhje me standardet lokale dhe ndërkombëtare.
Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër dhe presim me interes përgjigjet tuaja.